Vuçiqi propozon Bërnabiqin për mandatin e dytë si kryeministre
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar të hënën se ka marrë vendim që Ana Bërnabiq të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re të Serbisë.
Vuçiq ka thënë se vonesat që nga fitorja në zgjedhje e deri te caktimi i mandatares janë bërë për shkak të “bërjes së konceptit se si duhet të duket qeveria”.
Vuçiq ka thënë po ashtu se ka kërkuar që në Qeveri të jenë 50 për qind e më shumë gra.
Në një konferencë për media, Vuçiq ka përsëritur se “ka presione të mëdha për Kosovën” dhe “tentimet që të detyrohet Serbia ta njohë pavarësinë e saj, pa marrë thuajse asgjë për të”.
Sipas presidentit serb, qëllimi i qeverisë së re në Serbi duhet të jetë forcimi i ekonomisë dhe infrastrukturës.
Bërnabiq ishte bërë kryeministre e Serbisë në qershor të 2017-s.