Lajme

Vuçiqi: Prishtina do ta heqë taksën, por ne e paguam shtrenjtë

Prishtina herët a vonë do të tërheqë taksat për prodhimet nga Serbia, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por shtoi se ajo i ka kushtuar Serbisë tepër shtrenjtë, i deklaroi ai televizionit publik të Serbisë, RTS-së.

I pyetur nga gazetari që të komentojë pohimin e Avni Arifit, shefit të kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Vuçiq u përgjigj se Qeveria e Prishtinës do të mund ta suspendojë përkohësisht taksën ndaj prodhimeve serbe, kjo do të ndodhë herët a vonë.

“Nëse do ta heqin, ta suspendojnë apo do të gjejnë ndonjë modus tjetër, një është. Neve na kanë bërë një dëm të madh dhe kanë shkaktuar një tension të madh. Thashë se do të ndodhë ajo tërheqje dhe do të ndodhë. Njësoj është, ne e kemi paguar shtrenjtë”, është shprehur Vuçiq, transmeton Koha.net.

Po ashtu ai ka shtuar se, “atë askush nuk do të na kompensojë, as Prishtina, as BE-ja, e as dikush tjetër”.