Lajme

Valon Syla për Gent Cakaj: Luftë e brendshme për ta sulmuar Edi Ramën dhe aleatët e tij

Analisti politik, Valon Syla, ka komentuar gjithë zhurmën që u bë lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe faktin se ai sot është ushtrues detyre i këtij posti, pas delegimit nga Edi Rama.

Syla në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se janë tri të pavërteta kryesore në gjithë këtë proces – duke u nisur nga qëndrimi i përfolur i Gent Cakajt për korigjimin e kufijve.

“E para është akuza për qëndrimin e tij për korrigjim të kufirit që padrejtësisht presidenti Ilir Meta dhe një pjesë e opozitës dhe politikës shqiptare është munduar ta rëndojë Gent Cakajn për qëndrimet që i ka pasë publike Edi Rama”.

“Shihet se është jokorrekte dhe për konsum ditor sepse të njëjtit që e akuzuan Gent Cakajn e dekretuan Edi Ramën që është deklaruar ‘pro’ qëndrimit të korrigjimit të kufijve që bie ndesh me gjithë atë zhurmë që është bërë”.

“Edi Rama e mbështet qëndrimin e Prishtinës dhe ka treguar konstruktivitet në këtë aspekt. Gent Cakaj nuk ka pasë një qëndrim të tillë”.

Ai ka thënë po ashtu se arsyetimi i presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e Ministrit të Jashtëm për shkak të moshës së re nuk qëndron.

“Mendoj se akuza për moshën është e padrejtë duke e pasë parasysh se vetë presidenti Ilir Meta me 23 vjet ishte deputet në Parlamentin e Shqipërisë dhe me 29 vjet ishte Ministër i Jashtëm”.

Madje, sipas Sylës, nuk qëndron as arsyetimi për mungesën e përvojës për të qenë kryediplomat i Shqipërisë.

“Mendoj se nuk qëndron në esencë duke e pasë parasysh se Gent Cakaj nuk ka shkuar prej Prishtinës në pozitën e sotme por ka shkuar nga kabineti i Edi Ramës. Ai ka shkuar si këshilltar dhe për një periudhë të shkurtër është bërë koordinator i komunikimit të kabinetit Rama për Ballkanin – i janë deleguar disa detyra shtesë”.

“Më pas i është besuar një detyrë edhe më e madhe. Ai është emëruar zëvendësministër dhe prej aty është e natyrshme, sidomos në Ballkan, që njerëzit e kabinetit të promovohen”.