Lajme

Vuçiqi e quan “budallallëk” reagimin e Quntit për zgjedhjet e fundjavës në veri

Pas një ceremonie të rekrutimit të pjesëtarëve të rinj të policisë në Novi- Sad, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka ofenduar 5 shtetet e Quintit.

Deklaratën e tyre për zgjedhjet e fundjavës në veri, Vuçiqi e ka quajtur budallallëk..

“Jam befasuar me komunikatën e Quintit dhe dua t’i përgëzoj për inovacionin e tyre. Këto janë: SHBA-ja, Anglia, Franca, Italia dhe Gjermania. I uroj për inovacionin. Kurrë nuk kam dëgjuar një budallallëk më të madh. Ata thonë në komunikatë që gjithçka ka shkuar mirë. Ata i kanë pasur vëzhguesit e tyre atje dhe nuk gjetën asgjë për t’i akuzuar serbët. Meqë nuk gjetën asgjë, kur e panë që nuk pati asnjë problem, që OSBE-ja monitori gjithçka, atëherë thanë të kujtojmë që në vitin 2017 kishte presion. Kjo është sikur ju të më pyesni mu diçka tashti e unë t’ju them që ju kujtoj se në vitin 2017 ishte e kundërta. Çfarë kuptimi ka kjo? Por, kjo tregon se si disave u erdhi keq që gjithçka kaloi mirë”, ka thënë Vuçiq.

Në deklaratën e lëshuar të hënën, Quinti, në Prishtinë, kujtonte presionin që prej vitit 2017, që çoi në garimin vetëm të Listës Serbe nga komuniteti serb në këto zgjedhje.

“Ambasadat i rikujtojnë gjetjet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (EOM) të vitit 2017, që shprehën shqetësime serioze për frikësime në shumë zona të serbëve në Kosovë, sidomos kundër partive politike që garuan kundër Listës Srpska. Këto defekte, si edhe kërkesat për të përditësuar listat e votuesve dhe për të qartësuar procedurat, mbeten të paadresuara dhe kanë si rezultat konkurrencën dhe pjesëmarrjen e kufizuar politike, prandaj ngrenë pyetje lidhur me procesin e përgjithshëm demokratik në ato zona”.

Të besuarit e Vuçiqit pa konkurrencë i fituan bindshëm zgjedhjet e së dielës në 4 komunat veriore.

Në Leposaviq, Zoran Tadiqi i ftoi 96.6 % të votave, në Zubin- Potok Srjdan Vuloviqi mori 94.5 % të votave, në Zveçan Vuçina Jankoviq 94. 7 %, kurse Mitrovicën Veriore e fitoi Goran Rakiqi me 90.1 % të votave

Ata do të priten në një takim në Beogad nga Vuçiqi të premten, ku edhe mund të marrin instruksionet nëse do të japin dorëheqjet sërish.