Lajme

Vuçiq thotë se takimi i nesërm me Thaçin në Uashington varet nga heqja e taksës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të sotëm në Washington me të Dërguarin Special të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë se nuk pret që SHBA të ndryshojë qëndrimin sa i përket çështjes së Kosovës. Ai tha se nuk e di akoma nëse në Washington do të takohet me Presidentin e Kosovës, duke thënë se është në pritje të rezultateve për heqjen e taksës.

“Është e pakuptimtë të presim që SHBA të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës, por ne mund të përpiqemi të përfaqësojmë Serbinë në një mënyrë tjetër dhe të kemi marrëdhënie shumë më të mira me SHBA-në”, ka thënë Vuçiq.

Siç raporton “Beta”, Vuçiq ka thënë se delegacioni serb në Washington po përballet me një fushatë të nisur nga shqiptarët përmes filmit të një kroati, “dikush do të thoshte ekstremistit kroat Jakob Sedlar, i cili u përpoq të portretizonte serbët në një pamje negative gjatë Luftës së Dytë Botërore”, transmeton Telegrafi.

“Ai tregoi se si Qeveria e Nediqit ka persekutuar hebrenjtë, pa fakte historike dhe pa të dhëna të vërteta, dhe se si shqiptarët myslimanë i shpëtuan nga serbët. Edhe pse u janë përvjedhur gabime të shumta në film, ata do ta shfaqin atë film nesër në New York dhe Washington dhe janë përpjekur të parandalojnë që zëri i Serbisë të dëgjohet në Komitetin Amerikano-Izraelit për Çështjet Publike (AIPAC)”, tha Vuçiq.

Ai tha se kishte një takim të mirë me Palmer ku diskutuan për të gjitha çështjet e rëndësishme në rajon, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara po shfaqnin një interes gjithnjë e më të madh për problemet në të gjithë Evropën Juglindore.

Vuçiq tha se në lidhje me taksën e Kosovës ndaj mallrave nga Serbia dhe BeH, Palmer mendon të njëjtën gjë sikurse i Dërguari Special i Presidentit të SHBA për negociatat Serbi-Kosovë Richard Grenell.

“Unë jam u mirënjohës të dyve, që janë treguar të hapur dhe të sinqeritetë. Ata vlerësojnë se është e rëndësishme që taksa të hiqet, në mënyrë që të kemi mundësi të bisedojmë për çështjet thelbësore. Nuk ka bisedime thelbësore politike midis Beogradit dhe Prishtinës për çështje të statusit derisa të mos hiqet taksa”, tha presidenti serb.

Ai tha se nuk e di akoma nëse në Washington do të takohet me Presidentin e Kosovës me ndërmjetësimin e Richard Grenell, për të cilin po spekulohet, duke thënë se është në pritje të rezultateve për heqjen e taksës.