Lajme

Vuçiq shprehë dëshirën për t’a vizituar Kosovën, synimi është për t’iu adresuar popullit serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shprehur dëshirën që të vijë në Kosovë, pesë vjet pas vizitës së tij të fundit. Synimin për t’iu adresuar popullit serb, ai e ka shprehur disa ditë pasi autoritetet e shtetit që përfaqëson nuk ia miratuan kërkesën ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, për ta vizituar Luginën e Preshevës.

“E pashë se thonë që Xhelal Sveçlës t’i lejohet vizita në territorin e Serbisë qendrore në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në kohën e Borko Stefanoviqit dhe të konfirmuara më vonë. Nuk shoh shumë rrezik në këtë, edhe pse sigurisht që ai do të vinte të provokonte. Kam kërkuar edhe të shkoj në Kosovë e M. dhe t’i drejtohem popullit. Do të ishte mirë që të respektohen marrëveshjet dhe të flasim me njerëzit në tokën e shenjtë serbe”, ka thënë Vuçiq për mediat serbe.

Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse ka një kërkesë zyrtare nga Vuçiqi dhe nëse ajo do t’i aprovohet.

Hera e fundit kur Vuçiqi vizitoi Kosovën ishte në vitin 2018. Prej atëherë, me gjithë paralajmërimet, ai nuk ka hyrë në Kosovë. Një përpjekje e bëri më 15 shtator të vitit të kaluar, kur tha se për ta vizituar Kosovën e pyet popullin serb e jo kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Do të vij në Graçanicë dhe për këtë nuk e pyes Kurtin”, kishte deklaruar Vuçiq.

E Kurti i ishte përgjigjur se kërkesën do ta trajtojnë me seriozitet. Pas rritjes së tensioneve nuk pati vizitë të Vuçiqit e as të vartësve të tij.

Para pesë muajve Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për shkak të deklaratave nxitëse nuk ia lejoi hyrjen në Kosovë as Petar Petkoviqit, shef i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në tri vizitat paraprake, Petkoviqi haptazi kishte përdorur gjuhë të urrejtjes, të cilat kulmuan me rastin e inaugurimit të objektit të Universitetit paralel në Mitrovicën e Veriut.

“Ky është gur themeltar i unitetit të popullit tonë në Kosovë dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar, siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe, ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Aleksandar Vuçiq”, pati deklaruar Petkoviq.

Ai nuk ishte lejuar të hynte në Kosovë as më 3 shtator 2021. Por Serbia u hakmor dy ditë më pas, kur nuk lejoi vizitën e katër ministrave kosovarë në Luginën e Preshevës – ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministrit të Ekonomisë, Hekuran Murati, ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku. Vendimi për ndalim atyre u ishte kumtuar nga autoritetet serbe vetëm disa orë para nisjes. Njërit prej paraardhësve të Petkoviqit, Marko Gjuriq, që tani është ambasador i Serbisë në ShBA, i pati kushtuar me arrestim mosrespektimi i ndalesës për të hyrë në Kosovë.