Lajme

Vuçiq nuk i beson Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk beson që Kosova do të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Duke folur të shtunën, pas zhbllokimit të rrugëve në Jarinjë e Bërnjak në veri të Kosovës, në ditën e 13 që nga vendosja e bllokadave prej serbëve pas vendosjes së reciprocitetit, Vuçiq ka thënë se marrëveshja e arritur në Bruksel për shtensionim s’ka qenë e lehtë.

“Nuk ka asnjë marrëveshje të lehtë për ne. S’ka asgjë të lehtë në Kosovë. Më 2008, ata shpallën pavarësinë dhe ajo njihet nga 90 për qind e shteteve më të fuqishme. Që nga ajo kohë, mezi mbajmë hundën mbi ujë. Jemi duke u mbajtur në kushte ku të gjithë bëjnë presion”, ka thënë ai, raportojnë mediat në Serbi.

Të enjten, Kosova e Serbia u pajtuan për shtensionim të situatës në veri. Nga java e ardhshme të dyja vendet do të vendosin afishe në simbolet shtetërore te targat e shtetit tjetër.

“Ne i kemi prezantuar mbulimet sepse nuk e njohim shtetin e Kosovës”, ka thënë Vuçiq duke shtuar se serbët nuk e duan as KFOR-in por se atë e pranojnë si të vetmen mbrojtje.

Sa i përket formimit të Asociacionit, Vuçiqi ka thënë se nuk iu beson fare autoriteteve të Kosovës.

“Nuk besoj se do të pranojnë Asociacionin. Nuk u besoj në asgjë sepse e di me kë kemi punë. Kurti ka thënë se Kosova e ka një problem të madh, që ka emër e mbiemër (Aleksandar Vuçiq). Jam i lumtur sepse unë dhe ekipi im investojmë shumë. është kompliment. Nëse shihni gazetat e tyre, 50 për qind janë Vuçiq. Janë aty diku si kroatët”, ka thënë ai.