Lajme

Vuçiq: Nëse dështon referendumi në Serbi do të ketë “pasoja të rënda”

Reagime të shumta ka nxitur insistimi i Bashkimit Evropian që Kosova të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në territor të saj. Derisa në Kosovë është kërkuar që Qeveria të mos e ndryshojë qëndrimin kundër mbajtjes së tij, përkundër presionit që mund të ketë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paralajmëruar pasoja të rënda

Pasoja “shumë të rënda” ka paralajmëruar të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas deklarimeve të Qeverisë së Kosovës se nuk do të lejojë mbajtjen e referendumit të saj në territorin e vet.

Në një intervistë për televizionin serb RTS, Vuçiqi ka qenë i ashpër në deklarimin e tij lidhur me atë se çfarë mund të ndodhë pas 16 janarit, kur edhe planifikohet që të mbahet referendumi për ndryshimet kushtetuese në Serbi. Ai megjithëkëtë, për një paralajmërim të tillë nuk ka dhënë hollësi.

“Kërkesa ime për të gjithë komunitetin ndërkombëtar është që të informojë fëmijën e tyre që e përkëdhel dhe kujdeset aq shumë, se duhet të respektojë marrëveshjet. Pasojat do të jenë shumë të rënda nëse kjo ndodh. Më të rënda se që supozojnë shqiptarët e QUINT-i”, ka thënë Vuçiqi në intervistën për televizionin publik serb.

Kërkesën e Serbisë për mbajtjen e referendumit e ka përkrahur edhe Bashkimi Evropian. Madje për një gjë të tillë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së ka biseduar të mërkurën mbrëma edhe me kryeministrin Albin Kurti. Por, një qasje e tillë e bllokut evropian është kritikuar në Kosovë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë të ditur se mbajtja e referendumit të Serbisë do t’i cenonte sovranitetin dhe sigurinë e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës nuk mund të kushtëzojë se kush do të jetë përfaqësues i BE-së në bisedime midis Kosovës dhe Serbisë, por duhet të reagojë në çdo veprim anues të Borrellit dhe Lajçakut, duke mos bashkëpunuar për jetësimin e propozimeve të tyre e që janë nga pozicionet puro serbe”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Ky këshill ka përmendur gjithashtu ushtrimin e të drejtës për të votuar, duke thënë se kanë qenë ndërkombëtarët ata që ia “kanë imponuar Kosovës devijim nga universaliteti i të drejtave të njeriut, nëpërmjet diskriminimit pozitiv që vlen për serbët”.

Se mbajtja e referendumit do të cenonte sovranitetin e Kosovës kanë thënë edhe nga shoqëria civile. Sipas Arton Demhasajt, nga organizata joqeveritare “Çohu”, një gjë e tillë nuk do të duhej të pranohej në asnjë rrethanë.

“Kjo mund të jetë skandaloze. Nëse qeveria jonë zmbrapset dhe lejon, pra unë e thashë që në rast se lejohet me u mbajt referendumi i Serbisë në Kosovë, në një pjesë të sovranitetit po ia falim Serbisë kështu me dorën tonë, sepse po lejojmë që Serbia të organizojë referendum në territorin tonë”, ka deklaruar Demhasaj. “Nëse mbahet në një mënyrë veç po e zbehim sovranitetin tonë në vend që ta forcojmë në arenën ndërkombëtare”.

Sipas drejtorit ekzekutiv të “Çohu”, është befasuese presioni që është duke iu bërë Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh që një praktikë e tillë nuk është zbatuar në asnjë shtet tjetër të BE-së.

Serbia ka kërkuar që më 16 janar në Kosovë të mbahet referendumi i saj dhe që ka të bëjë me ratifikimin e disa ndryshimeve kushtetuese. Derisa ka kundërshtuar një gjë të tillë, ekzekutivi ka bërë të ditur se qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi edhe të Serbisë mund të marrin pjesë në këtë proces nëpërmjet votimit me postë apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.