Lajme

Vuçiq: Na u kërkua t’i përshëndesnim veprimet e Policisë së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një video të postuar në “Instagram” ka thënë se ditët e fundit kanë qenë për “Serbinë më të vështirat në 15 vjetët e fundit”.

Ai i është referuar sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u lënduan tre policë tjerë. Po ashtu u vranë tre sulmues.

“Një parim vlen për të gjithë tjerët, domethënë ai parim papritmas nuk vlen më vetëm për dikë – për serbët. Kur u vranë tetë policë në Maqedoni të Veriut atë nuk e bënë terroristët, megjithëse ajo ndodhi në një territor të një vendi sovran të njohur nga OKB-ja dhe kur një polic, që me marrëveshje të Brukselit nuk mund të jetë aty ku ishte, vritet, të cilën e dënojmë e në asnjë mënyrë nuk e justifikojmë, atëherë të gjithë serbët deri në moshën 14-vjeçare duhet të hetohen, arrestohen, vriten pa asnjë përgjegjësi apo pa të drejtë për t’u mbrojtur. Në ditët e mëparshme ata kanë gënjyer shumë për praninë e forcave tona ushtarake. Në fakt, të them të drejtën, i shqetësoi shumë që kuptuan se Serbia, ka armë, siç thonë ata, të sofistikuara. Ne do të vazhdojmë të investojmë në mbrojtjen e vendit tonë, por Serbia dëshiron paqe. Mirëpo, gjëja më e vështirë ishte të dëgjoheshin historitë se duhet t’i mirëpresim veprimet e të ashtuquajturës polici të Kosovës”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se ende nuk ka marrë përgjigje “pse EULEX-i nuk u lejua të merrte pjesë në operacion” në Banjskë më 24 shtator.

Ai ka paralajmëruar se do të publikojë dëshmi gjatë 24 orëve të ardhshme se si “u vra brutalisht, të paktën një nga serbët”.

“Po ju njoftoj se brenda 24 orëve do ta keni mundësinë t’i dëgjoni dhe shihni. Kemi deklaratat e dëshmitarëve okularë, të njerëzve që kanë qenë në vend dhe kanë parë se si dhe në çfarë mënyre brutale është vrarë të paktën një serb. E Serbia nuk do të qetësohet derisa të dihet e vërteta e plotë, sepse jeta e serbëve nuk vlen më pak se e tjerëve. E nuk më intereson se kush do të ushtrojë presion, ashtu siç nuk më intereson dhe në çfarë mënyre synojnë të lëndojnë Serbinë me gënjeshtrat e tyre”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu ka insistuar se Serbia s’do ta njohë Kosovën.