Lajme

Vuçiq: Jam i shqetësuar për planin e Kurtit për dëbimin me dhunë të serbëve

Në prag të takimit të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, të paralajmëruar për në shtator, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka takuar edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përmes një postimi në Twitter, ai ka njoftuar se pati diskutime thelbësore lidhur me tema të ndryshme me presidentin serb, ndër to edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

“Në Beograd kam pasur diskutime thelbësore me presidentin Vuçiq për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut”, ka shkruar Lajçak.

E presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se në bisedën e zhvilluar për më shumë se dy orë me Lajçakun, ia ka theksuar atij shqetësimet lidhur me situatën në veriun e Kosovës.

“Unë jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në Kosovë dhe për planin e Kurtit për të pushtuar me dhunë veriun e krahinës dhe për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore. Ia përcolla përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak”, tha Vuçiq.