Lajme

Vuçiq ironizon: Kurti po na zgjidh edhe zhvillimet tona të brendshme


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ironizuar duke thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është duke ia zgjidhur Serbisë edhe zhvillimet e saj të brendshme.

Ai ka thënë se Kurti ka treguar se si duhet të duket Serbia e kush duhet të jetë në krye të saj.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar thellë zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Vuçiq është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në atë se si komenton presionin e ri që po i bëhet Serbisë nga Kosova dhe Washingtoni dhe njoftimet për një platformë të re për vazhdimin e dialogut.

“Unë e shoh që Albin Kurti gjithashtu po zgjidh edhe zhvillimet tona të brendshme, duke folur se si duhet të duket Serbia dhe kush duhet të jetë në pushtet. Ndaloni, heshtni, lërini ata, ata të gjithë janë të fortë dhe të zgjuar. Ne do t’i lëmë ata që të bëjnë punën e tyre, ne do të bëjmë punën tonë. Ne e dimë se cili është interesi ynë nacional dhe do të vazhdojmë të luftojmë për popullin tonë dhe të drejtat e tyre, pavarësisht nga fakti se situata është thuajse e pashpresë”, ka thënë Vuçiq, raporton Tanjug.

Vuçiqi ka folur edhe për faktin se Kurti thotë se nuk është i interesuar për dialog me Beogradin , më shumë sesa me serbët në Kosovë.

“Nëse nuk u intereson, nuk u intereson. Nuk janë përfaqësues të serbëve të Kosovës ata që fitojnë 0.62 për qind apo 2-3 për qind, por ata që fitojnë 95 për qind. Kanë provuar në çdo mënyrë të instalonin serbët me të cilët duan të bisedojnë, nga Nenad Rashiqi e te Rada Trajkoviqi, por nuk u eci për dore. Mund të blini dikë, por nuk mund të blini 95 për qind të njerëzve. Mendojmë se dialogu është i rëndësishëm, mendojmë se bisedimet janë shumë të rëndësishme. Ata që mendojnë se bisedimet nuk janë të nevojshme e do të zgjidhin problemet e tyre në atë mënyrë, nuk kam asnjë problem me këtë. Të zgjidhin ata punët e tyre e ne do të zgjidhim punët tona”, ka thënë Vuçiq, ndërsa ka shtuar se për Serbinë situata është jashtëzakonisht e vështirë dhe thuajse e pashpresë.

Vuçiq ka folur në mëngjesin e sotëm ndërsa Serbia ka pranuar një kontingjent prej 150 mijë vaksinave anti-COVID të AstraZenecas.