Lajme

Vuçiq bisedon me Blinkenin, kërkon lirimin e serbëve të arrestuar nga Policia e Kosovës

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka insistuar në qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe ka mbështetur planin evropian për shtensionim, u tha pas një bisede telefonike që kryediplomati amerikan zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç ka njoftuar Vuçiqi përmes një postimi në Instagram, gjatë bisedës me Blinkenin, ai ka kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar në veri të Kosovës.

“I thash sekretarit Blinken se Serbia sillet seriozisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, por njësitë speciale të Policisë së Kosovës po arrestojnë çdo ditë pjesëtarët e komunitetit serb në mënyrë krejtësisht arbitrare dhe kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar”, ka shkruar Vuçiq.

Ai gjatë kësaj bisede ka theksuar se dorëheqja e katër kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale “janë të një rëndësie kyçe për të ulur tensionet”.