Lajme

Vrasësja e Iliasit shpallet ‘e papërgjegjshme’, hiqet dorë nga akuza!

Këtë vendim Prokuroria e ka marrë duke u bazuar në një ekspertizë psikiatrike, e cila e shpall kryesen e krimit makabër të papërgjegjshme për veprimet e saj.

Më 21 mars të këtij viti, në Bazel, një grua e moshuar zvicerane ka mbytur me thikë vogëlushin shqiptar Iliasin. Vrasja ka ndodhur në rrugë të hapur, ndërkohë që Iliasi ishte duke u kthyer në shtëpi, nga shkolla. Që nga dita e vrasjes, gruaja në fjalë është mbajtur në burg për hetime. Ndaj saj ishte ngritur akuza për vrasje të rëndë.

Por, siç njoftojnë sot mediat zvicerane, Prokuroria ka hequr dorë nga akuza e përmendur ndaj saj. Këtë vendim e ka marrë duke u bazuar në një ekspertizë psikiatrike, e cila e shpall kryesen e krimit makabër të papërgjegjshme për veprimet e saj, transmeton albinfo.ch. Për këtë arsye, Prokuroria tani kërkon masën e kujdestarisë për zviceranen 75-vjeçare. Bëhet fjalë për një masë psikiatrike e tipit të mbyllur. Ajo u shqiptohet personave që konsiderohen të papërgjegjshëm penalisht, pra që nuk mund të dënohen, por nga ana tjetër, përbëjnë rrezik për përsëritje të krimit.

Siç ka shkruar disa herë edhe albinfo.ch, e moshuara zvicerane pas vrasjes së kryer ka shkruar disa mesazhe telefonike, në të cilët ka informuar disa persona dhe institucione se ka vrarë një fëmijë. Ndonëse ajo e kishte fshirë mesazhin, ai tashmë kishte arritur në adresat e dërguara.

Në të shkruante: “Përshëndetje të dashur. E kam vrarë një fëmijë në mënyrë që të më kthehet mbrapa pasuria. Po i dorëzohem policisë dhe po e marr përgjegjësinë, nëse nuk vritem si armik i popullit”.

Vrasja mizore e Iliasit 7-vjeçar ka tronditur qytetarët e Bazelit e më gjerë. Në shenjë solidarizimi me familjen dhe për të protestuar kundër vrasjes së rëndë, më 23 mars në Bazel ishte zhvilluar një marshim, me ç`rast mijëra qytetarë kishin ecur deri në vendin e krimit dhe në shkollën ku kishte ndjekur mësimet.