Vjosa Osmani për koalicionin me VV-në: Sot kam shpresë më shumë se që kisha dje
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se opsioni i vetëm për bashkëqeverisje mbetet Lëvizja Vetëvendosje.
Për këtë, ajo thotë se kanë votuar edhe qytetarët e Kosovës më 6 tetor të vitit të kaluar.
“Në kryesi të LDK dje, është përcaktuar qartë dhe unanimisht që LDK negocion vetëm me LVV-në për një qeveri. Askush nuk ka propozuar opsione tjera. Nuk kemi opsion B, kemi dal para qytetarëve vetëm një opsion, dhe s’kemi tjetër. Unë besoj që do të ishte e mirë për vendin”, tha ajo para gazetarëve të mërkurën.
Sipas Osmanit, propozimet e fundit të LDK-së synojnë krijimin e bashkëpunimit për bashkëqeverisje.
LDK i propozoi Vetwvendsojwn ndarjwn e ministrive nga pesw, ndwrsa kwrkoi qw ta ketw kryetarin e Kuvendit deri nw kohwn kur tw zgjidhet presidenti, i propozuar nga partia e cila doli e dyta nw zgjedhjet e fundit.
“Propozimet e LDK-së kanë synim arritjen e marrëveshjes, besoj se edhe LVV duhet me pa si të tillë propozimin e fundit”, tha kandidatja për kryeministre nga LDK në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Osmani ka komentuar edhe vizitat më të shpeshta të ditëve të fundit nga ambasadorët e huaj në zyrat e partisë që udhëhiqet nga Isa Mustafa.
“Unë i shoh normale, nuk janë trysni, janë takime të zakonshme që ambasadat informohen me zhvillimet e fundit dhe si mund të kontribuojmë. Marrim rekomandime e ndihmë, këto shtete nuk duhet të shikohen si trysni. Ne i mirëpresim kontaktet dhe ndihmën e këtyre përfaqësuese (ambasadave) e jo si trysni”, ka thënë Vjosa Osmani.
“Shpresë ka, sepse ne nuk do të insistonim që t’i japim qeveri qytetarëve për të cilën kanë votuar”, ka theksuar ajo.
Nesër në Prishtinë pritet të vijë Richard Grenell, ambasadori i ShBA-së në Berlin njëherit edhe i emëruar special nga Presidenti i Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas Osmani, vizita e tij është e mirëseardhur.
“Dua të theksoj që është e mirëpritur si vizitë sepse tregon angazhimin e ShBA-së për Kosovën. Që nga angazhimi e kemi pa një angazhim shtesë. Nga emërimi, Grenell nuk ka insistuar në ide të rrezikshme të ndarjes apo të tjera. Detajet mund t’i marrim vesh vetëm nesër, edhe pas ditës së nesërme do të ketë shpresë. Mund të konfirmoj që LDK ka vullnet të plotë për koalicion”, ka deklaruar Osmani.
Osmani ka komentuar edhe mundësinë e votës së LDK-së ndaj një qeverie të pakicës, të cilën do ta udhëheqte e vetme partia e Albin Kurtit.
Ajo tha se nuk është opsion i dëshirueshëm.
“Nuk dua të flas hipotetikisht, që nga dje kam shpresë më shumë për arritjen e marrëveshjes sesa kisha më herët, nuk besoj se do të ketë nevojë për një qeveri të pakicës, unë nuk do ta dëshiroja. E vetmja Qeveri e cila do të përballej me sfidat që na presin është ajo në mes LDK-së dhe LVV-së. Do të japim maksimumin për ta arritur marrëveshjen”, tha Osmani në fund.