Vizita në Moskë e Borrellit ‘trazon’ BE-në, eurodeputetët i kërkojnë Ursula von der Leyen shkarkimin e tij
Vizita e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në Rusi ka përfunduar.
Para se të largohej nga Moska, kreu i diplomacisë evropiane bëri homazhe për Boris Nemtsov, një figurë udhëheqëse e opozitës i vrarë gjashtë vjet më parë në zemër të qytetit.
Kjo u njoftua në një komunikatë për shtyp nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm.
Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të qetësuar polemikat që lindën pas takimit midis tij dhe ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, një takim në të cilin Borrell u shfaq shumë i butë në lidhje me çështjen e dënimit të kundërshtarit Alexey Navalny dhe respektimin e të drejtave të njeriut nga qeveria ruse.
Ai akuzohet se nuk ka reaguar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Lavrov ndaj sulmeve të nisura nga ministri rus ndaj BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas këtij takimi eurodeputeti estonez Riho Terras, nga grupi EPP i është drejtuar me një letër presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, në të cilën kërkon dorëheqjen e Borrellit.
Në letrën, në të cilën Terras shprehet në shumës, duke sugjeruar se ka nënshkrues të tjerë, eurodeputeti thotë se është “jashtëzakonisht i shqetësuar nga zhvillimet poshtëruese” të vizitës së Borrell në Moskë, e cila “dëmtoi rëndë reputacionin e Bashkimit Evropian”.
Në letër pretendohet se vizita ishte ndërmarrë nga Borrell “me iniciativën e tij” dhe në të cilën ai tregoi “indiferencë ndaj krimeve të kryera nga regjimi Putin kundër kundërshtarëve politikë”.