Vitia pranon letër falënderimi nga ambasada e SHBA-së: Në këtë kohë sfidash nuk jemi vetëm
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në Facebook letrën falënderuese, të cilën e ka pranuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
“Më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë për përpjekjet e juaja për fuqizimin e bashkëpunimit për ofrimin e ndihmës së nevojshme mjekësore për qytetarët e Kosovës. Konferenca e juaj e përbashkët e shtypit me ministrin Jeftiq rreth reagimit ndaj COVID-19 është shembull i udhëheqësisë dhe përkushtimit”, shkruan në këtë letër të nënshkruar nga ambasadori amerikan, Philip Kosnett.
Në letrën e ambasadës, Vitia është përgëzuar për profesionalizëm.
“Profesionalizmi dhe porosia e përfshirjes ka dërguar një sinjal sigurie për të gjithë qytetarët, se jeni duke punuar për të gjithë në këtë shtet, për adresimin e virusit. Jam njëmend optimist se kjo frymë bashkëpunimi do të vazhdojë në të ardhmen, në tërë qeverinë dhe institucionet e saj dhe midis komuniteteve të Kosovës”, shkruan në të.
Vitia ka shkruar në Facebook se “duke qëndruar e punuar me solidaritet të lartë njerëzor dhe pa dallime të çfarëdo natyre, ne do të jemi fitues”.
“Këto janë falenderime për të gjithë ata që çdo ditë pa pushim dhe me vetëmohim po merren me kujdesin për qytetarët. Kjo na siguron se në këto kohë të sfidave në të gjithë botën nuk jemi vetëm, por bashkë me miqtë tanë. Gjithçka ka ndërruar në rutinën e jetës sonë. Kjo kërkon vetëdijësim të lartë. Le të mos tregohemi të shkujdesur”, shkruan ai.