Viti 2019 shpallet vit i NATO-s në Kosovë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur vitin 2019 -vit të NATO-s në Kosovë.
Në këtë vit shënohet 20 vjetori i intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë, intervenim ky që kishte ndodhur pas masakrave, spastrimit etnik dhe krimeve të forcave serbe mbi popullatën civile në Kosovë, si dhe pas dështimit të përpjekjeve diplomatike botërore për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën.
Më 24 mars 1999, forcat ajrore të NATO-s e kishin nisur fushatën e bombardimeve kundër caqeve të shtetit serb, që kishte zgjatur gjithsej 78 ditë, duke ndalur gjenocidin dhe sjellë lirinë për Kosovën.
“Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Presidencës.