Lajme

Vetëvendosje: Qeveria Koti e Hashim Thaçit në linjë të njëjtë me Serbinë

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas njoftimit të emisarit të SHBA-së, Richard Grenell, se më 27 qershor do të ketë diskutime në Shtëpinë e Bardhë lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Përmes një postimi në Facebook, VV-ja ka thënë se Grenell sot njoftoi për vendimin e radhës të Qeverisë Hoti, “që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Duke e quajtur “qeveri të sajuar” nga presidenti Thaçi, Vetëvendosje ka thënë se Qeveria Hoti e largoi masën e reciprocitetit, duke e zhveshur tërësisht Kosovën nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror.

“Qeveria Koti e Hashim Thaçit tashmë është në të njëjtën linjë me përpjekjen e Serbisë, me zotimin e kryeministrit Koti dhe Hashim Thaçit, se Kosova nuk është e barabartë me Serbinë dhe se Kosova nuk do të angazhohet për subjektivitet ndërkombëtar. Ky është pozicioni me të cilin këta shkojnë në dialog me Serbinë. Ky vendim erdhi pak orë pas takimit Hoti-Thaçi”, thuhet në njoftim.

VV-ja thotë se “sot më shumë se kurrë kuptohet përpjekja e gjithë këtij Klubi të Stërvjetëruar Politik për ta larguar qeverisjen që filloi të sillet si shtet normal në arenën ndërkombëtare e të forcojë sovranitetin për së brendshmi”.

Sipas tyre, Qeveria Kurti i ka penguar pazaret me thika mbi harta që po i kanoseshin Republikës së Kosovës.

“Për tandemin Thaçi-Vuçiq ishte e nevojshme një qeverisje pa legjitimitet popullor, e diskredituar, marionetë, e cila ndjek aventurën e tyre të nisur tash e disa vite. Lëvizja Vetëvendosje thekson se asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial e funksional të Republikës së Kosovës nuk do të mund të implementohet në vendin tonë dhe se nuk mund të ketë dialog nga një qeveri ilegale dhe ilegjitime që është në diskeprancë totale me vullnetin e popullit. Konjukturat e kapura nuk mund të dëmtojnë vullnetin e shumicës. Lojërat me copëtime krijojnë parakushtet për destabilizim të rajonit, e vënë në rrezik një numër të madh njerëzish”, thuhet në njoftim.