“Vdes” ideja për “mini shengenin” ballkanik, BE-ja nuk po e mbështet
Iniciativa rajonale e ashtuquajtura “mini-shengeni” ballkanik nuk po e merr mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Ndonëse ka rreth katër muaj prej takimit të parë në Novi Sad, e më pas në Ohër, e Tiranë asnjë zyrtarë i lartë i BE-së, në asnjë dokument të rëndësishëm nuk i ka dhënë mbështetje kësaj ideje.
Kështu deklarojnë për KosovaPress, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë. Sipas Demush Shashës nga instituti ‘Epik’, ideja e mini-shengenit ballkanik ka vdekur dhe rilindjen e vetme mund të përjetojë brenda procesit të Berlinit.
“Tani bëhen katër muaj që nga hedhja e idesë së mini-shengenit në Novi-Sad.Prej katër muajsh asnjë zyrtarë i lartë i BE-së, asnjë dokument i rëndësishëm i BE-së nuk e ka mbështetur shprehimisht idenë e mini-shengenit. Kjo ka një arsye se qëllimet e mini-shengenit janë në duplifikim të plotë me procesin e Berlinit.
Prandaj nuk asnjë sens të fillohet një proces i ri, duke qenë se procesi i Berlinit ekziston tani e katër-pesë vite…duke e njohur që është një ide që synon katër lirit themelore të BE-së dhe duke njohur faktin që asnjë zyrtarë i lartë i BE-së nuk është duke e mbështetur këtë ide, konsideroj se kjo ide ka vdekur dhe rilindjen e vetme mund të përjetoj brenda procesit të Berlinit…është një anomali që një iniciativë që synon katër liritë themelore të BE-së të mos diskutohet fare nga BE dhe fare të mos jetë pjesë e diskutimeve të liderëve të Ballkanit perëndimor. Prandaj ajo në vetvete është mesazh për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor se BE nuk e sheh në prioritet dhe nuk ofron mbështetje për këtë iniciativë”, thotë ai. Skeptik se do të arrihet të përfundohet kjo iniciativë është edhe drejtori i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj.
“Nuk besoj që BE apo ShBA shpenzojnë energji, apo para për një ide të tillë që mund të jenë të përkohshme sepse gjitha këto pretendojnë me qenë pjesë e BE-së. Ndoshta kjo është arsyeja pse kemi një hezitim për me mbështet këtë ide. Qoftë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, qoftë nga ShBA”, -thotë ai. Ndërsa, analisti politik, Faton Abdullahu i bëri thirrje qeverisë re që të jenë më të qartë për këtë iniciativë rajonale.
“Kosova në përgjithësi dhe Qeveria jonë në veçanti nuk ka qasje të qartë sa i përket mini-shengenit. Duhet të jetë shumë më e qartë në vendimet dhe synimet që i ka për të na dhënë arsyetimet pse është kundër mini-shengenit. Ta dina të gjithë cilat janë arsyet për të qenë kundër”, -thotë ai. Iniciativa për formimin e një mini-shengeni ballkanik qysh në nisje të saj nuk e ka pasur përkrahjen e institucioneve kryesore në Kosovë./KosovaPress/