Lajme

Vazhdon konfiskimi i pasurisë së Radoiçiqit — reagon Lista Serbe

Më shumë se 30 automjete, një vilë, një banesë, një restorant, e pasuri të tjera i janë konfiskuar kreut të grupit që e organizoi sulmin në Banjskë, Milan Radojçiq. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, publikoi listën e pasurisë së konfiskuar e sekuestruar dhe njoftoi se 31 mjete transportuese të kapura në Banjskë i janë dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës.

Automjetet që Milan Radojçiqi e grupi i tij i lanë prapa pas sulmit terrorist në Banjskë, nga tani e tutje do të jenë në shfrytëzim të Policisë së Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se vendimi për 31 mjetet transportuese të sekuestruara është marrë, pas vendimit të gjykatës për konfiskimin e tyre.

“Pra, janë 31 mjete transportuese, të cilat janë të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Republikës së Kosovës për nevojat të cilat i ka, pra për shfrytëzim të këtyre mjeteve transportuese”, ka thënë Haxhiu.

Një ditë më parë, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar e Konfiskuar ka nisur zbatimin e urdhrit ndalues edhe për pronat e tjera të udhëheqësit të grupit që kreu sulmin e 24 shtatorit.

Pas vilës së Radoiçiqit, të enjten janë konfiskuar edhe pronat e tjera të njeriut që është duke u strehuar në Serbi.