Lajme

Vazhdon dialogu mes Serbisë dhe Kosovës në SHBA, pritet firmosja e disa marrëveshjeve

Delegacioni i Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë edhe sot takimin në Uashington.

Nga Shtëpia e Bardhë është thënë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump

Njoftimi i mbrëmjes së të enjtes nga Shtëpia e Bardhë thotë se pas takimit tre palësh do të ketë ceremoni nënshkrimi, por që nuk e përcakton se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë, transmeton Zëri i Amerikës.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë njëra nga pikat në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë të enjten. Vuçiq pas takimit tha se “nuk ka dyshim se sot dhe sonte njohja e pavarësisë së Kosovës do të jetë temë, sepse unë e kam bërë të qartë se nuk mund ta pranojmë atë”.

Nikoqirë të këtij takimi, që u paralajmërua se në fokus ka bashkëpunimin ekonomik, ishin këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell

Pas takimit, këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha se në Uashington, u zhvilluan bisedime “shumë të mira” ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve edhe gjatë së premtes.