Valencia mposht Realin dhe shpreson për një vend në Ligën e Kampionëve
Valencia ka regjistruar fitore (2-1) kundër Real Madridit në Mestalla, në ndeshjen e xhiros së 30-të në kampionatin spanjoll.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 35-të të takimit. Goncalo Guedes pranoi një pasim të shkurtër nga Carlos Soler dhe shënoi një gol të bukur në portën e Keylor Navas.
Menjëherë pas rrezikoi Geoffrey Kondogbia nga një top i kthyer, mirëpo nuk arriti ta konkretizonte shansin e tij.
Festa e lojtarëve të Valencias pas golit të parë (Foto: David Ramos/Getty Images/Guliver)
Los Che vazhduan të ishin të rrezikshëm edhe në pjesën e dytë, ndërsa Carlos Soler ishte ndër ata që rrezikuan, por Navas ishte në vend. Një tjetër aksion të vendasve e nisi Rodrigo pas një ore lojë, mirëpo sërish goditja nuk përfundoi në cak.
Dhe pas disa rasteve të nikoqirëve, ish-lojtari i Realit, Ezequiel Garay, e vulosi fitoren (83′), pas asistimit nga Daniel Parejo. Në minutat shtesë, Karim Benzema arriti ta shënonte golin e nderit për Mbretërit (90’+3).
Valencia është në vend të pestë në tabelë, me një pikë prapa Getafes që mban vendin e katërt që dërgon në Ligën e Kampionëve.Real Madridi mbetet në vendin e tretë dhe objektivi do të jetë qëndrimi në atë pozitë për të luajtur në garën më të madhe evropiane në sezonin e ardhshëm.
Los Blancos luajnë kundër Eibarit në xhiron e ardhshme, kurse Los Che e kanë për kundërshtar Rayo Vallecanon.