Vala e dytë e pandemisë, Europa shënon shtim rekord të rasteve të reja
Përhapja e koronavirusit në Europë po ndodh me ritme rekord teksa jemi në gjysmën e muajt të dytë të vjeshtës.
Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar mbi 123 mijë raste të reja me COVID-19.
Kjo rritje ditore është më e larta që pas shpalljes së pandemisë sipas OBSH.
Ndryshe nga periudha mars-prill, kufizimet duket se nuk po zbatohen më rigorozisht nga qytetarët. Franca është një ndër vendet europiane që kanë në fuqi nivelin më të shtrënguar të masave parandaluese por megjithatë ajo raporton edhe shtimin më të lartë të rasteve në disa rajone.
Problematike paraqitet situata dhe në Britaninë e Madhe, ndërsa ekspertët nuk përjashtojnë as kthimin në karantinë për ditët në vijim.
Po ashtu, shtime të rasteve pozitive me COVID-19 paraqitet dhe në Itali e Gjermani, ndërkohë që Çekia është vendi me numrin më të lartë me 308 infektime për 100 mijë banorë në 24 orët e fundit, e ndjekur nga Franca e Spanja. Mes të tjerash thuhet se shtim të rasteve me COVID-19 raportohet dhe në SHBA, Indi e Brazil. /Opinion.al