Bota

Vaksina për koronavirus: Edhe Gjermania aprovon testimin në njerëz

200 persona të shëndoshë, të moshës prej 18 deri në 55 vjeç, do të marrin variante të ndryshme të vaksinës në Gjermani, shkruan “TheIndependent” të mërkurën.

Testi klinik për vaksinën kundër Covid-19 është aprovuar në Gjermani, ka njoftuar Instituti Federal për Vaksina i këtij shteti.

Ky test me 200 persona do t’u ndihmojë shkencëtarëve të ekzaminojnë efikasitetin e vaksinave për të siguruar imunitet kundër virusit vdekjeprurës.

Zhvillimi i një vaksine, i cili do të ndalonte përhapjen e koronavirusit po merr hov, ngase si pasojë e virusit tashmë kanë vdekur gati 180.000 persona, derisa janë infektuar rreth 2.5 milionë, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) thotë se po zhvillohen së paku 20 vaksina të ndryshme kundër COVID-19, ndërsa disa prej tyre janë në nivelin e testimeve klinike.

Gjermania vjen pas Britanisë me aprovimin e testeve klinike. Ditë më parë ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, tha se shkencëtarët në Universitetin Oxford do të fillojnë testimin e vaksinës në njerëz këtë të enjte.

Rreth 500 vullnetarë do të regjistrohen në këtë program deri në mes të muajit maj, dhe Qeveria britanike ka premtuar 20 milionë funte për këtë hulumtim.