Ushtria e Serbisë ka vendosur topa me rreze të gjata veprimi dy kilometra nga Jarinja
Ushtria e Serbisë ka vendosur gjashtë topa me rreze të gjatë veprimi në Rudnicë, dy kilometra nga pika kufitare në Jarinjë. Po ashtu është vendosur një numër i pjesëtarëve të policisë ushtarake serbe në atë zonë, raporton televizioni serb “N1”.
Ekipi i “N1” ka njoftuar se nuk është lejuar të xhirojë topat.
Të dielën shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq, ishte nisur për në Rashkë. Ai kishte thënë se ka marrë detyra komplekse dhe se “ushtria do t’i përmbushë”.
“N1” raporton se situata ka qenë identike edhe vitin e kaluar, kur ishte bllokuar rruga Jarinjë-Leposaviq. Edhe atëherë në të njëjtin vend ishin vendosur mjete ushtarake të blinduara nga Serbia dhe fluturuan edhe aeroplanë luftarakë.
Të dielën kishte pasur të shtëna në Zubin Potok, ndërsa KFOR-i kishte njoftuar se nga të shtënat afër ekipit të tij, nuk kishte të lënduar dhe as dëme materiake. KFOR-i ka thënë se po e heton rastin dhe u ka bërë thirrje të gjithë akterëve të shmangin retorikën dhe lëvizjet që mund ta përkeqësojnë situatën.