FutbollSporti

Unitedi eliminon Chelsean dhe kualifikohet në çerekfinale të Kupës FA

Manchester Unitedi e ka fituar derbin në Stamford Bridge kundër Chelseat (2-0) dhe në këtë mënyrë e ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të FA Cup. Pedro dhe Eden Hazard i patën shanset e tyre në minutat e para për skuadrën nikoqire, ndërsa pas rrezikimit nga Ander Herrera, një tjetër mundësi e pari Gonzalo Higuain. Rezultati u zhbllokua në minutën e 31-të. Paul Pogba dërgoi një harkim shumë të mirë në zonë, ndërsa Ander Herrera shënoi me kokë. Një asistim dhe një gol për Pogban në pjesën e parë (Foto: Michael Regan/Getty Images/Guliver) Para përfundimit të pjesës së parë (45′), Marcus Rashford harkoi në zonë, ndërsa Paul Pogba e mposhti nga afërsia me kokë portierin Kepa Arrizabalaga. Pedro sërish pari një rast në pjesën e dytë, ndërsa një mundësi shumë të mirë e krijoi edhe Eden Hazard, por goditi mbi portë. Derisa minutat po kalonin, Blutë nuk po arrinin të krijonin raste për ta ndëshkuar portierin Romero. Ashtu që u përshëndetën nga Kupa FA. Është kjo një tjetër goditje për skuadrën e Maurizio Sarrit, e cila pësoi humbje të thellë (6-0) në Ligën Premier nga ekipi tjetër nga qyteti i Mançesterit, Manchester City. Ndërsa për të zgjedhurit e Ole Gunnar Solskjaer, ky ishte një rikthim te fitorja pas humbjes së parë që e pësuan nën drejtimin e tij (në Ligën e Kampionëve nga Paris Saint-Germaini). Wolverhampton Wanderers, Millwall, Crystal Palace, Manchester City, Swansea City, Watford dhe Brighton & Hove Albion – janë çerekfinalistët tjerë.