FutbollSporti

UEFA dërgon Xhakën e Shaqirin në Serbi

Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, ka vendosur që Bjellorusia ta luajë ndeshjen e parë për kualifikimet e Evropianit 2024 në Novi Sad të Serbisë, në stadiumin “Karagjorgje”. Bjellorusia në ndeshjen e parë kualifikuese do të jetë vendas kundër Zvicrës. Kjo do të thotë se Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri do të luajnë në Serbi.

Bjellorusia është nën sanksione speciale për mbështetjen e pushtimit rus të Ukrainës. Ajo nuk lejohet të luajë ndeshje në fushën e saj vendase, por do të duhet ta luajë çdo ndeshje në një vend tjetër.

UEFA befasoi duke caktuar Novi Sadin si vendin pritës të ndeshjes së Bjellorusisë, për shkak se kundërshtar i saj do të jetë Zvicra më 25 mars të vitit të ardhshëm. Te përfaqësuesja helvetike, lojtarët shqiptarë kanë fjalën kryesore.

Përveç Bjellorusisë, Zvicra në Grupin I e ka edhe Kosovën, Rumaninë, Izraelin e Andorran.

Xhaka e Shaqiri ishin akterët kryesorë për eliminimin e Serbisë në dy botëroret e fundit në fazën e grupeve. Më 2018, Xhaka e Shaqiri shënuan dhe festuan me shqiponjë. Edhe në ndeshjen e fundit në “Katar 2022”, ndeshja u përcoll me shumë incidente. Madje, Xhaka e festoi fitoren duke mbajtur vesh fanellën e futbollistit tjetër shqiptar të Zvicrës, Ardon Jashari. Serbët këtë e konsideruan provokim të rëndë, pasi pretendonin se ylli i Arsenalit e kujtoi komandantin legjendar Adem Jashari.