Udhëheqësit e komunës së Preshevës priten nga Ambasadori i Turqisë
Sot, udhëheqësit e pushtetit lokal, kryetarja Ardita Sinani e shoqëruar nga zëvendëskryetari i Komunës, z. Ragmi Mustafa, dhe shefi i kabinetit të kryetares së Komunës, z. Besim Shabani zhvilluan një vizitë zyrtare në Ambasadën e Turqisë në Beograd, ku takuan Ambasadorin e Republikës së Turqisë, z. Hami Aksoy.
Ambasadori Aksoy shprehu urimet e drejtpërdrejta për zonjën Sinani për zgjedhjen si Kryetare e Komunës së Preshevës.
“Në bisedimet tona, diskutuam për një sërë çështjesh të rëndësishme që prekin arsimin shqip në Preshevë, me theks të veçantë përfundimin e renovimeve të shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi”. Po ashtu, u trajtua edhe nevoja për avancimin e projekteve arsimore, pranimin e librave shqip nga Shqipëria dhe njohjen e diplomave nga Kosova, si dhe mundësitë për organizimin e bursave dhe vizitave studimore për mësimdhënësit” ka deklaruar kryetarja Sinani
Në takim u shqyrtua mundësia e investimeve turke në Komunën e Preshevës.
“Kemi nevojë për bashkëpunime të reja dhe të qëndrueshme në sektorin ekonomik, dhe për këtë, mbështetja e një partneri si Turqia është e domosdoshme” shtoi Ardita Sinani
Ambasadori Aksoy ofroi mbështetjen e pakursyer të qeverisë turke për pushtetin aktual dhe përpjekjet për zhvillimin e qëndrueshëm të Preshevës.
“Jam e bindur se përmes këtij bashkëpunimi, do të mund të realizojmë projekte që do të sjellin përfitime të dukshme për qytetarët tanë, dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi në shërbim të komunitetit tonë” ka përfunduar kryetarja Sinani
Edhe zëvendëskryetari i komunës, Ragmi Mustafa është shprehur i kënaqur me takimin e sotëm në Ambadadën e Turqisë
“Pranimi në ambasadën e Turqisë në Beograd nga ana e ambasadorit turk shkëlqësia e tij zoti Hami Aksoj ishte gjithashtu miqësor dhe i frytshëm. Bashkëpunimi me ambasadën turke dhe agjensionin turk për zhvillim ndërkombëtar TIKA do të jet në vazhdimësi dhe shumë transparent.
Aktivitetet e bashkëpunimit ndërkombëtar të komunës Preshevë do të vazhdonëj me intensitet edhe më të lartë. Gjithmonë në interes të qytetarëve të komunës Preshevë” ka deklaruar Mustafa