Të fundit

Udhëheqësit e komunës së Preshevës po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Elbasan, priten nga kryebashkiaku Gledian Llatja


Njoftimi i kryetares Ardita Sinani:

Gjatë vizitës, zhvilluam një takim të ngrohtë me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, z. Gledian Llatja, me të cilin diskutuam hapat konkretë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik. Një fokus i veçantë iu kushtua mundësisë për të siguruar kuota dhe bursa për studentët nga Presheva pranë Universitetit të Elbasanit, si dhe organizimit të eskursioneve dhe shkëmbimeve shkollore që do të afronin më shumë të rinjtë e të dy komunave.
Po ashtu, u takuam me përfaqësues të diasporës së Elbasanit në Athinë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm si urë lidhëse ndërmjet Elbasanit dhe komuniteteve tona në emigracion. Vlerësuam gatishmërinë e tyre për të kontribuar në projekte të përbashkëta dhe për të forcuar lidhjet me vendlindjen.
Në takim me Ministrin e Pushtetit Vendor, z. Arbjan Mazniku, u diskutua për mundësinë e aplikimit të përbashkët në fondet IPA, si dhe bashkëpunimin në projekte infrastrukturore, që mund të fuqizojnë zhvillimin rajonal dhe integrimin ndërkufitar.
Takimi me z. Aleksandër Çipa solli në fokus rëndësinë e përkrahjes për mediat lokale, kulturën shqiptare dhe fuqizimin e rolit të shoqërisë civile në hapësirat jashtë kufijve shtetërorë.
Një nga fushat më premtuese të bashkëpunimit mbetet agroturizmi, ku përvoja e Elbasanit mund të shërbejë si model për zhvillimin e këtij sektori edhe në Preshevë, duke krijuar hapësira të reja për investime dhe punësim.
Binjakëzimi mes Elbasanit dhe Preshevës nuk mbetet vetëm në letër — po vihet në funksion të së ardhmes së përbashkët, të zhvillimit dhe bashkimit të potencialeve tona.