Bota

U dënua gabimisht dhe vuajti 45 vjet burg, amerikani dëmshpërblehet me miliona dollarë

Një amerikan i cili kaloi 45 vjet në burg para se të shpallet i pafajshëm për një vepër për të cilën ishte akuzuar, do të fitojë 1,5 milion dollarë dëmshpërblim për shkak të gabimit gjyqësor, kanë kumtuar autoritetet amerikane të shtetit federal Miçigen, transmeton Gazeta Metro.


Richard Phillips, 73 vjeç, ishte dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1972 për vrasje për të cilën prej fillimit pretendonte se është i pafajshëm. Gjykata e dënoi në bazë të një dëshmie e cila doli se nuk ishte e vërtetë.

Phillips në vitin 2018 ishte liruar pas intervenimit të programit të Universitetit të Miçigenit i cili merret me përmirësimin e gabimeve gjyqësore. Zyrtarët e këtij programi kanë pretenduar se asnjë person nuk ka kaluar një kohë kaq të gjatë në burg në SHBA për shkak të gabimit të gjyqësorit.

Ish i dënuari jeton nga shitja e pikturave të cilat i kishte bërë derisa ishte në vuajtje dënimi. Disa vepra të tij janë shitur për disa mijëra dollarë.

Phillips së shpejti nuk do të jetë i detyruar të shesë piktura për të siguruar jetesën sepse do të merr dëmshpërblimin.

“Do të udhëtojë dhe ta shijojë jetën”, ka thënë Phillips duke komentuar vendimin për ndarje të dëmshpërblimit.