U akuzua për takime me bashkpuntorë të Millosheviqit: Reagon kabineti i kryetares Sinani
Kryetarja e komunës Preshevë, Ardita Sinani dje pati një takim me pronarin e kompanisë “Interspeed” Petar Komljenoviq, e që më pastaj u akuzua për takime me bashkpunëtorë të Millosheviqit, pëcjell MinistriaLajmeve.
Pas akuzave ndaj Sinanit, ka reaguar kabineti i saj:
Kabineti i Kryetares së Komunës së Preshevës
Reagim ndaj spekulimeve dhe dezinformatave rreth takimit me kompaninë “Interspeed”
I nderuar Lirim Mehmetaj dhe ju portale lokale që përpunoni artikujt e të tjerëve,
Kryetarja e Komunës së Preshevës, zonja Ardita Sinani, që nga marrja e mandatit në gusht të vitit 2024 ka ndërtuar qeverisjen e saj mbi tri parime themelore: institucionalizëm, transparencë dhe menaxhim të përgjegjshëm të pushtetit.
Deri më tani, janë realizuar mbi 100 takime zyrtare, si në kabinetin e saj, ashtu edhe në ambasada dhe ministri, të cilat kanë qenë tërësisht transparente, si vizualisht, ashtu edhe për nga përmbajtja.
Kjo është një praktikë që vazhdon dhe do të vazhdojë.
Në lidhje me pretendimet e ngritura mbi takimin me kompaninë “Interspeed” dhe pronarin e saj, faktet janë si vijon:
• Ky biznes po planifikon të zhvillojë aktivitet në territorin e Komunës së Preshevës, në pronat e tij private dhe të regjistruara ligjërisht.
• Si institucion, Komuna e Preshevës ka për detyrë të jetë e informuar mbi të gjitha zhvillimet ekonomike që ndodhin në territorin e saj, për të garantuar transparencë dhe për t’i informuar qytetarët.
• Takimi ka pasur si qëllim të kuptojë më shumë mbi aktivitetet e kësaj kompanie pranë vendkalimit kufitar në Tabanoc dhe të sigurojë që qytetarët e Preshevës të kenë informacion të saktë mbi çdo zhvillim që ndodh në hapësirën e tyre.
Në vend që të informoni qytetarët mbi faktet reale dhe mbi transparencën që po ndërton Komuna e Preshevës, ju po synoni ta shndërroni këtë çështje në një sulm politik të pabazuar, duke u përpjekur të përfshini Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në çdo diskutim, pavarësisht mungesës së çdo lidhjeje konkrete.
Urrejtja ndaj tij po ju shtyn të hulumtoni çdo detaj dhe çdo bashkëpunëtor të tij, qoftë në Kosovë, në Luginë, në Maqedoninë e Veriut apo në Shqipëri, për ta përdorur si pretekst për sulme politike.
Institucionet komunale do të vazhdojnë të punojnë me transparencë dhe profesionalizëm, duke informuar qytetarët për çdo zhvillim dhe duke refuzuar çdo përpjekje për manipulim dhe keqinformim.
Kabineti i Kryetares së Komunës së Preshevës