Trumpi do të takohet javën e ardhshme me Erdoganin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, javën e ardhshme do të takohet me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Këtë e ka konfirmuar vet Presidenti Trump përmes një postimi në Twitter, transmeton Koha.net. Takimi do të mbahet më 13 nëntor në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas tij, në takim do të diskutohet për kufirin me Sirinë, zhdukjen e terrorizmit, përfundimin e luftës me kurdët dhe shumë tema të tjera.
“Sapo kam pasur një telefonatë shumë të mirë me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ai më informoi se kanë kapur një numër të luftëtarëve të ISIS-it që është raportuar se kanë ikur gjatë konfliktit – duke përfshirë gruan dhe motrën e terroristit të vrarë al Baghdad…”, ka shkruar Trump në Twitter.
“… po ashtu kemi biseduar për kufirin e tyre me Sirinë, zhdukjen e terrorizmit, përfundimin e luftës me kurdët, dhe shumë tema të tjera. Mezi pres të takohem me Presidentin Erdogan të mërkurën e ardhshme, më 13 nëntor, në Shtëpinë e Bardhë”, përfundoi ai.