Bota

Trump viziton Indinë, arrin marrëveshje ushtarake

Presidenti amerikan Donald Trump nisi sot vizitën e tij të parë në Indi, me fokus thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Trump dhe Zonja e Parë, Melani mbërritën në qytetin Ahmedabad, ku u pritën nga kryeministri indian, Narendra Modi.

Më pas, udhëheqësit shkuan në stadiumin më të madh të kriketit në botë, ku me mijëra njerëz ishin mbledhur për të mirëpritur presidentin amerikan.

Trump filloi fjalimin me përshëndetjen indiane “Namaste”, dhe mes të tjerash tha se Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë një marrëveshje për t’i shitur ushtrisë së Indisë helikopterë amerikanë dhe pajisje të tjera ushtarake.

“Jam i kënaqur t’ju njoftoj se nesër përfaqësuesit tanë do të nënshkruajnë një marrëveshje për ti’u shitur forcave të armatosura indiane helikopterë ushtarakë më të sofistikuar dhe pajisje të tjera me vlerë mbi tre miliardë dollarë.”, tha ai.

Presidenti Trump dhe zonja e parë më vonë shkuan në Agra, ku vizituan edhe pallatin e njohur të Taj Mahal-it.

Shtetet e Bashkuara janë partneri më i madh i Indisë, por pavarësisht forcimit dhe rritjes së bashkëpunimit politik, mes dy vendeve ka patur vazhdimisht tensione.

Trump më herët është shprehur se taksat e Indisë mbi importet janë të papranueshme dhe e ka përshkruar atë si mbretin e tarifave./opinion.al/ministrialajmeve.com