Bota

Trump reagon për rrëzimin e dronit: Irani bëri një gabim shumë të madh!

Presidenti i SHBA Donald Trump bëri deklaratën e tij të parë në Twitter mbi incidentin me Iranin. Trump shkroi vetëm një fjali: “Irani bëri një gabim shumë të madh!”

Në maj të vitit 2019, Trump e kishte paralajmëruar Iranin për kërcënimin e Shteteve të Bashkuara, “Nëse Irani dëshiron të luftë, ky do të jetë fundi zyrtar i Iranit.

Zëdhënësi i Komandës Qendrore Amerikane Bill Urban tha të enjten se një raketë iraniane tokë-ajër goditi një avion pa pilot të mbikqyrjes detare të marinës amerikane në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Ngushticën e Hormuzit.

Ai e quajti atë një “sulm të paprovokuar mbi një pajisje mbikqyrëse amerikane”, dhe tha se avioni pa pilot është përdorur për misionet e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit mbi rajonet oqeanike dhe bregdetare.

Ushtria amerikane tha se Irani u përpoq të rrëzonte një dron amerikan javën e kaluar dhe tensionet mes dy vendeve u rritën me sulmet kundër anijeve çisternë në rajon për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin, por që Irani i mohon.

Marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që kufizon programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Rrëzimi i dronit shënon sulmin e parë të drejtpërdrejtë të Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara gjatë kësaj krize.