Bota

Trump: Presidenti francez ka fyer NATO-n

Presidenti amerikan, Donald Trump, kritikoi të martën presidentin francez Emmanuel Macron për komentet e tij në të cilat e përshkroi NATO-n si një organizatë që po përjeton “një vdekje klinike të trurit”, duke thënë se komenti i udhëheqësit francez ishte një “deklaratë e rëndë”.

Duke folur përkrah Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, derisa udhëheqësit e vendeve anëtare, u mblodhën për një samit në Londër, Presidenti Trump tha se “ju thjesht nuk mund të shkoni vërdallë duke bërë deklarata të tilla për NATO-n”.

Në të kaluarën, Presidenti Trump ka thënë se NATO është “e vjetëruar” dhe vazhdimisht ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar nga aleanca.

Komentet e presidentit Macron u bënë në një intervistë me revistën britanike The Economist, muajin e kaluar. Ai që atëherë ka mbrojtur komentet e tij, duke thënë se NATO “kishte nevojë për një alarm zgjimi” dhe duhet të përqendrohet në çështje të tjera përveç nivelit të shpenzimeve të secilit vend në fushën e mbrojtjes.

Presidenti Trump dhe presidenti Macron do të takohen gjatë së martës.

Shpenzimet e mbrojtjes kanë qenë një fokus për Presidentin Trump që kur ai mori detyrën në vitin 2017 dhe u ankua se Shtetet e Bashkuara po merrnin barrën më të madhe financiare të aleancës.

Stoltenberg përshëndeti angazhimin e Presidentit Trump të martën, duke thënë se udhëheqja e tij në këtë çështje është “duke pasur një ndikim të real”. Ai përmendi një rritje prej 130 miliardë dollarësh në buxhetet e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s dhe tha se deri në vitin 2024 do të ketë një rritje deri në 400 miliardë dollarë në shpenzimet e mbrojtjes të vendeve anëtare të aleancës së bashku.

Përveç diskutimeve për buxhetin, Stoltenberg tha se udhëheqësit vendeve të NATO-s do të flasin edhe për përpjekjet e luftës kundër terrorizmit, kontrollin e armëve, marrëdhëniet me Rusinë dhe ngritjen e Kinës.

Samiti po mbahet derisa presidenti Trump përballet në shtëpi me një hetim për shkarkimin e tij. Ai përsëriti kritikat e tij të martën për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca ndërsa ai po merr pjesë në samit.