Trump planifikon të shpërbëjë task-forcën për koronavirusin: Vendit i duhet diçka tjetër
Presidenti amerikan Donald Trump, ka konfirmuar se task-forca për koronavirusin do të shpërbëhet, e zv.presidenti Mike Pence, sugjeron se kjo mund të ndodhë brenda disa javëve.
Trump ka paralajmëruar ngritjen e një task-force të re, për një fazë tjetër që po e pret vendin.
“Po e rikthejmë vendin tonë”, tha Trump gjatë një vizite në një fabrikë për prodhimin e maskave në Arizona, raporton BBC News, transmeton koha.
Trump ka thënë se task-forca ka kryer punë të shkëlqyeshme, por se tash vendit i duhet diçka tjetër.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë amerikanë, virusi mund të përhapet më shumë kur bizneset rihapen.
SHBA-ja aktualisht ka 1.2 milionë persona të infektuar me koronavirus dhe më shumë se 70.000 të vdekur si pasojë e tij, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
Gjatë një vizite në Phoenix, Trump u tha gazetarëve se Mike Pence dhe task-forca kanë bërë një punë të shkëlqyeshme dhe se tani po mendojnë në një formë tjetër, dhe kjo formë është siguria dhe hapja e bizneseve.
Gjatë vizitës së tij presidenti kishte vendosur syze sigurie, por nuk kishte maskë për fytyrë.
Kritikët kanë akuzuar presidentin se sakrifikoi shëndetin publik të amerikanëve duke mos u duruar për të rihapur ekonominë amerikane. Këtë e kanë vlerësuar se e ka bërë për shkak të zgjedhjeve nacionale që mbahen në nëntor.
Trump tha se ekspertët e grupeve të punës të Shtëpisë së Bardhë, dr. Deborah Birx dhe dr. Anthony Fauci si dhe mjekë të tjerë do të vazhdojnë të përfshihen në përpjekjet për ta adresuar koronavirusin.
Trump u dënua gjerësisht nga komuniteti mjekësor muajin e kaluar, pasi tha se injektimi i zbardhuesit në mushkëri do të vriste virusin.