Bota

Trump njofton se në planin për Lindjen e Mesme, Jerusalemi do të njihet si kryeqyteti i Izraelit

Presidenti Donald Trump publikoi të martën planin e tij të paqes Izraelito-Palestinez, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu. Plani është rezultat i një pune tre vjeçare të këshilltarit të lartë të Presidentit, Jared Kushner, i cili është njëkohësisht edhe dhëndri i z.Trump.

Përpara njoftimit të planit për paqe në Lindjen e Mesme Trump ka zhvilluar takime me Netanjahu dhe udhëheqësin e opozitës izraelite Benny Gantz për t’i njohur ata me përmbajtjen e tij.

Zoti Netanjahu e ka cilësuar planin si “mundësia e shekullit që nuk duhet humbur”. Zoti Gantz e quajti atë një “moment historik të rëndësishëm”.

Një zëdhënës i Netanhaju tha se kryeministri izraelit do të nisej drejt Moskës të mërkurën për të njohur Presidentin rus Vladimir Putin mbi propozimin.

Ndërkohë të martën me mijëra palestinezë demonstruan kundër planit amerikan, disa orë përpara publikimit të tij në një ceremoni në Uashington.

Ndërsa udhëheqësit izraelitë e kanë mirëpritur planin, udhëheqësit palestinezë e kanë kundërshtuar atë edhe pse nuk është bërë ende publik. Ata thonë se administrata e Trump është e njëanshme, pro Izraelit.

Palestinezët frikësohen se plani i zotit Trump do të shuajë shpresat që ata kanë për një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, në Gazë dhe në lindje të Jeruzalemit.

Ndërkohë të martën ndaj zotit Netanjahu është ngritur një padi zyrtare në gjykatë lidhur me akuza për korrupsion, një zhvillim që pasoi vendimin e kryeministrit izraelit për të hequr dorë nga një kërkesë e tij për të kërkuar imunitet parlamentar nga ndjekja penale.