Trump në takim me Netanyahun: Lufta në Gazë duhet të marrë fund
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se ai dëshiron që lufta në Gazë të ndalet dhe se kjo mund të ndodhë së shpejti.
Trump deklaroi se po vazhdon puna për të liruar pengjet që mbahen nga Hamasi, grupin palestinez të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja, por theksoi se lirimi i të gjithëve është “një proces i gjatë”.
Izraeli nisi luftën pas sulmit nga Hamasi më 7 tetor të vitit 2023, kur luftëtarë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke marrë 251 pengje, sipas të dhënave izraelite.
Që nga ajo kohë, Izraeli ka vrarë mbi 50.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
I pyetur nëse do të përmbushë premtimin e fushatës për të përfunduar luftën në Gaza, Trump tha: “Do të doja ta shihja luftën të marrë fund, dhe mendoj se ajo do të ndalet në një moment, jo shumë larg në kohë.”
Trump gjithashtu tha të hënën se do të ishte një gjë e mirë që Shtetet e Bashkuara të “kontrollonin dhe zotëronin” Rripin e Gazës, duke rikthyer një propozim që e kishte përmendur disa herë gjatë javëve të para të administratës së tij.
“Është një gjë e mirë të kesh një forcë si Shtetet e Bashkuara atje, që kontrollon dhe zotëron Rripin e Gazës,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.