Tre policët e rrëmbyer dalin sot para gjykatës në Kralevë
Tre policët e rrëmbyer nga forcat serbe në territorin e Kosovës më 14 qershor, do të dalin të hënën para gjykatës në Kralevë, ka njoftuar sekretari në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haxholli ka thënë se policët kosovarë duhet të lirohen menjëherë, ndryshe do të ishte një drejtësi me standard mesjetar.
“Rrugës drejt Kralevës, ku para një gjyqi pritet të dalin përsëri tre policët Rifat Zekja, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi. Çdo sekondë e humbur deri në kthimin e tyre në Republikën e Kosovës, në krye të detyrave, konstituon një impuls dhe sjellje joracionale me qëllim kamuflimin e një akti bizar përmes një drejtësie me kut e standard mesjetar. Lirimi i menjëhershëm i tyre është Sine Non Qua!”, ka shkruar Haxholli në Facebook.
Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi po qëndrojnë në paraburgim. Sipas Ministrisë së Jashtme ata po akuzohen për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.