Të fundit

Tre persona nga Anamorava dyshohen se janë prekur me koronavirus

Tre persona nga rajoni i Anamoravës dyshohen se janë të prekur me koronavirus.

Nga Spitali Regjional i Gjilanit ata janë dërguar në Klinikën Infektive në Prishtinë për diagnostifikim dhe trajtim. Drejtori i Spitalit Regjional të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka deklaruar se stafi shëndetësor është përgatitur sa u përket masave mbrojtëse. “Janë dërguar tre persona në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Prishtinë të cilët dyshohen se janë prekur me koronavirus. Për këto raste kemi vetëm dyshime, mirëpo ende nuk kemi informata nga Prishtina. Ata po qëndrojnë në Prishtinë dhe jemi në pritje të rezultatit. Një pacient është nga Vitia, kurse dy të tjerët janë nga rrethi i Gjilanit. Stafi shëndetësor është duke respektuar masat mbrojtëse dhe nuk ka nevojë që dikush nga stafi të vendoset në karantinë me arsyetimin se në spital kemi pasur një pacient i cili dyshohet se është prekur me koronavirus. Sepse nëse shkojmë në këtë mënyrë, atëherë i tërë spitali duhet të vendoset në karantinë pas çdo rasti të dyshimtë”.

Mirëpo Qendra e Mjekësisë Familjare në komunën e Vitisë (QKMF) ua ka ndaluar punën 11 zyrtarëve të saj meqë dyshohet se kanë trajtuar një pacient i cili dyshohet se është prekur me koronavirus. Pacienti është banor i komunës së Vitisë i moshës 80-vjeçare dhe i cili dyshohet se javën e kaluar kishte qëndruar në shtetin e Italisë. Drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli Halili deklaron se janë në pritje të rezultateve ngase dyshojnë se edhe stafi mund të jetë i prekur nga koronavirusi.

“Rasti ka ardhur natën dhe këta nuk kanë dyshuar që është me koronavirus dhe e kanë diagnostifikuar si grip sezonal. Mirëpo në ndërkohë kemi kuptuar që ka qenë në Itali para shtatë ditësh. I kanë thënë të vazhdojë kontrollin në Gjilan. Dhe tash po dyshohet se është për koronavirus. Kam lajmëruar kryetarin e komunës dhe ka thanë që të gjithë ata që kanë hyrë në dhomën ku është kontrolluar pacienti të mos punojnë. 11 është numri i stafit shëndetësor të cilët nuk janë duke punuar dhe jemi në pritje të rezultateve nga Prishtina. Ambientin e kemi dezinfektuar”, ka thënë ajo.