Bota

Tornado shkatërrimtar në jug të ShBA-ve, 23 të vdekur, dëme që s’mbahen mend

Së paku 23 njerëz kanë humbur jetën, ndër ta ka edhe fëmijë, në tornadon i cili të dielën ka shkaktuar dëme të mëdha në Alabama, në jug të Shteteve të Bashkuara, transmeton Gazeta Metro.

“Tash për tash mund të konfirmojmë vdekjen e 23 njerëzve. Ajo që sidomos na ka tronditur janë përmasat e shkatërrimit të cilat tornado i ka shkaktuar. Këtë ende s’e kemi parë, dëmet janë katastrofale. Për fat të keq, mendoj se ai numër do të rritet”, ka thënë Jay Jones, sherif i qarkut Lee, ne lindje të Alabamas, në kufi me Gjeorginë.

Sipas medieve, shumë njerëz ende konsiderohen të zhdukur, ndërsa ka shumë të hospitalizuar me lëndime të rënda, ka shtuar Jones.

Ekipet shpëtimtare kanë pasur natë të pagjumë, në përpjekje për t’i nxjerrë të vdekurit e të lënduarit nga shtëpitë e shkatërruara në Alabama.

Stuhia ka nxjerrë trungje dhe ka shkatërruar shtëpi edhe në Gjeorginë fqinje, kur rreth 21.000 shtepi kanë mbetur pa rrymë.

Presidenti Trump u ka shprehur ngushëllime banorëve të Alabamas dhe rajoneve tjera të goditura dhe i ka porositur të jenë të kujdesshëm. Guvernatorja e Alabamas Kay Ivey ua ka tërhequr vërejtjen banorëve që të përgatiten për mundësinë që të ketë ende tornado.