Tjetër marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë: Izraeli normalizon raportet me Emiratet dhe Bahreinin
Sot, Izraeli nënshkroi marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejnin në prani të presidentit të SHBA-së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahrejnit, Abdullah bin Zayed al-Nahyan Abraham dhe Khalid bin Ahmed Al Khalifa.
Trump, i cili shpreson që këto marrëveshje historike do të çojnë në një rend të ri të fuqisë në Lindjen e Mesme dhe të forcojnë imazhin e tij si paqe-bërës përpara zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së, deklaroi “lindjen e një Lindjeje të Mesme të re” në ceremoninë e nënshkrimit.
“Ne jemi këtu sot për të ndryshuar drejtimin e historisë. Pas dekadash ndarjesh dhe konfliktesh, ne po shënojmë agimin e një Lindjeje të Mesme të re,” tha Trump.
Qindra njerëz panë ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe që zyrtarizojnë normalizimin e marrëdhënieve tashmë të përmirësuara midis Izraelit dhe dy shteteve arabe, në përputhje me kundërshtimin e tyre të përbashkët ndaj Iranit.
Marrëveshjet nuk kanë të bëjnë me konfliktin izraelito-palestinez. Ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe vendet e tjera arabe mbështesin palestinezët, administrata e Trump ka arritur të bindë të dy vendet që të mos lejojnë që ky konflikt t’i parandalojë ata të kenë marrëdhënie normale me Izraelin.