Thellohet tragjedia në Bejrut, shkon në 200 numri i të vdekurve e në mbi 6.000 i të plagosurve
Është thelluar tragjedia nga shpërthimi i një jave më parë në Liban.
Gjatë kërkimeve janë gjetur edhe trupa të tjerë nën rrënoja duke e çuar në 200 numrin e të vdekurve të konfirmuar deri më tani, ndërsa të plagosurit llogaritën në mbi 6 000.
Lexo edhe: A ishte raketë ajo që shpërtheu në Bejrut? Videot zbulojnë gjithçka
Të dhënat janë konfirmuar nga guvernatori i Bejrutit, Marwan Abboud, i cili theksoi se fatkeqësisht ka dhjetëra të tjerë që janë ende të zhdukur.
Ndërkohë, siç raporton BBC, në mesin e të vdekurve dhe të humburve ka mjaft punëtorë të huaj.
Ndërkohë ushtria libaneze e ka ndërprerë operacionin e kërkim-shpëtimit në portin e qytetit, që ishte epiqendra e shpërthimit.
Të dielën, qyteti u përball me protesta të dhunshme pasi policia u përlesh me protestuesit e zemëruar me reagimin e qeverisë ndaj kësaj fatkeqësie.
Dorëheqjet e një ministreje dhe disa deputetëve nuk e ka shuar zemërimin e qytetarëve që po protestojnë para ndërtesave të institucioneve shtetërore.
Që nga dita e shpërthimit, qindra mijëra njerëz janë duke banuar në shtëpi shumë të dëmtuara, shumë prej të cilave kanë mbetur pa dyer dhe dritare.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se vendi do të përballet me krizë humanitare, nëse atje nuk dërgohen menjëherë ndihma ushqimore dhe mjekësore. /abcnews.al