Thaçi thotë se Shqipëria s’është vetëm, e ka Kosovën dhe tërë bashkësinë ndërkombëtare prapa
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta, po qëndron në Durrës, që është njëra nga zonat më të goditura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Thaçi ka falënderuar ushtarët dhe policët e Kosovës që i kanë dalë në ndihmë institucioneve të Shqipërisë pas kësaj tragjedie.
“Shqipëria nuk do të jetë vetëm. Të jemi bashkë dhe ta tejkalojmë bashkë këtë situatë. Kosova është pran Shqipërisë me të gjithë potencialin e saj shtetëror dhe qytetar. Shqipëria ka bërë shumë për Kosovën në vitet e 98 dhe 99, kur ishin hapur dyert për qytetarët e Kosovës dhe të njëjtën gjë po bën sot Kosova për qytetarët e Shqipërisë. Shqipëria nuk është vetëm, e ka Kosovën, e ka edhe bashkësinë ndërkombëtare”, tha Thaçi, shkruan ksp.
Kurse presidenti Meta tha se për dy ditë më radhë po falënderon në vazhdimësi njësitë e specializuara të ardhura nga Kosovë, ndërsa ka falënderuar në veçanti mediat e Kosovës, të cilat siç tha ai kanë bërë që të sensibilizohet opinioni në Kosovë për t’i dalë në ndihmë popullit shqiptar.
I pyetur nëse do ta thërrasë Këshillin e Sigurisë, Meta tha se nuk është momenti i duhur për të shkëputur nga puna drejtuesit.
“Tani nuk është momenti për ti shkëputur drejtuesit nga puna dhe përkushtimi. Jemi në kushtet e emergjencës. Secili duhet të bëjë detyrën e tij. Më pas do ti bëjmë të gjitha konkluzionet. Shpresoj që më të keqen ta kemi lënë pas dhe me qetësi, kurajë dhe solidaritet duhet të shohim përpara”, u shpreh Meta.