Lajme

Thaçi: Policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve është i rrezikshëm për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Sipas presidentit, vendimi i Qeverisë Kurti është shkelje e Kushtetutës dhe qytetarët nuk janë të obliguar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë për këtë. “As policia, as organet e sigurisë, nuk duhet të zbatojnë këtë vendim antikushtetues të Qeverisë sepse kështu bëjnë edhe vetë vepër penale”, tha ai.

Këtë presidenti e tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media pas vendimit, sipas tij, të Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës për shkak të pandemisë së coronavirusit.