KryesoreLajme

Thaçi për Samitin e Berlinit: S’ka shkëmbime territoresh, Lugina t’i bashkohet Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pak para nisjes për Gjermani, për Samitin e Berlinit, ka thënë se Kosova nuk do të lejojë në asnjë formë shkëmbim territoresh me Serbinë, por ka shtuar se është e drejtë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që t’i bashkohen Kosovës.

Në një konferencë në Aeroportin e Prishtinës, Thaçi ka thënë se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe nëse në këtë samit kancelarja gjermane Angela Merkel e presidenti francez Emmanuel Macron nuk japin qëndrim të qartë pro liberalizimit do të ishte padrejtësi e madhe për Kosovën.

Për dialogun ka thënë se Kosova është e gatshme ta vazhdojë bisedën me Serbinë, ndërsa ka shtuar se kërkon që nikoqirët e samitit të dënojnë gjenocidin serb në Kosovë.

“Theksoj se edhe sa i përket mundësisë së vazhdimit të dialogut, Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, që hap perspektivë për fqinjësi të mirë e njohje reciproke, por jo dialog të kushtëzuar nga Serbia. Pres të dënohet gjenocidi i Serbisë në Kosovë edhe nga organizatorët e takimit. Dihet se ne çdo ditë, po marrim pjesë në ceremonitë e ndryshme ku shteti i Serbisë ka kryer gjenocid në Kosovë. Do të kemi përballë një Serbi gjenocidale. Në anën tjetër do të vazhdojmë të rikonfirmojmë zotimin tonë për reforma të ndryshme në çdo aspekt. Do të tregojmë zotimin se duam të lëvizim më shpejtë e të ecim drejt së ardhmes evropiane e në NATO”, ka thënë Thaçi.