Thaçi për BBC-në: Nëse ndodh diçka rreth negociatave me Serbinë, do të ndodhë sivjet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas pak më shumë se një muaji hyn në vitin final të mandatit të tij pesëvjeçar dhe të negociatave të papërfunduar midis Beogradit e Prishtinës.
“Nëse ndodh diçka në bisedimet me Serbinë, do të ndodhë sivjet.
Nëse nuk ndodh sivjet, druaj se do të humbim dekada”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për BBC-në në gjuhën serbe.
Presidenti i Kosovës në këtë kontekst është shprehur se “Nuk mendoj se do të marrim sërish vëmendjen e presidentit të SHBA, Tramp, dhe të ekipit të tij. Rikthimi i kësaj vëmendjeje të SHBA për rajonin tonë është dhuratë nga Zoti edhe për Kosovën, edhe për Serbinë – duhet ta shfrytëzojmë”, transmeton Koha.net.
Presidenti i Kosovës e ka mbështetur fuqishëm nënshkrimin ditë më parë të shkresave mbi qëllimiet për vendosjen e komunikacionit ajror e hekurudhor ndërmjet Beogradit e Prishtinës, që është pjesë e negociatave nën patronatin e të dërguarit special të presidentit amerikan, Richard Grenell.
Gati se nuk ka pasur tryezë negociatash në të cilën nuk ka qenë i ulur ai që nga viti 1999, kur si një nga liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shfaq si pjesë e delegacionit në Rambuje.
“Asnjëherë nuk kemi qenë më afër marrëveshjes, meqë shumë nga proceset janë mbyllur – Kosova është e lirë dhe e pavarur, ndërsa Serbia e din për pavarësinë e Kosovës.
Në të njëjtën kohë jemi shumë larg – do të varet shumë nga liderët e të dy vendeve, nëse do të investojnë për të ardhmen apo do të mbesin pengje të së kaluarës”, citohet të ketë thënë Thaçi.
Pasi BBC numëron bisedimet që ka zhvilluar me Daçiqin dhe Vuçiqin gjatë viteve të shkuara, ky medium citon Thaçin të ketë thënë “Nuk ka raporte të veçanta me presidentin Vuçiq, ne jemi presidentë vendesh të pavarura… Kemi pasur dallime në të kaluarën , ato ekzistojnë edhe sot, por kjo nuk duhet të na pengojë që si dy presidentë të bisedojmë për të ardhmen”.
Thaçi konsideron se as Kosova, as Serbia nuk mund të llogarisin anëtarësim në Bashkimin Europian pa marrëveshje përfundimtare midis tyre.
“Nëse e humbim këtë rast, do të derdhim lot para portave të Brukselit, por kjo askënd nuk do ta pikëllojë as ta interesojë”, ka thënë ai.
Ndonëse të ardhmen e sheh në Bashkimin Europian, në kohë të fundit Hashim Thaçi i kritikon ashpër diplomatët e Brukselit ndërsa politikën e tij e ndërlidhë me raportet pozitiuve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Megjithatë, unë duhet të jem i hapët me qytetarët e mi, sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por edhe më tutje pa mëritë vazhdon t pjete e izoluar.
“Kosova ndihet e tradhtuar dhe e ndëshkuar për shkak të mungesës së unitetit në mes të anëtarëve të BE-së”.
“Çdo sukses i Kosovës është mëritë e institucioneve të Kosovës, por edhe rezultat i bashkëpunimit me partnerët në SHBA e në Europë”, është shprehur Thaçi.
“Konfrontimi me Serbinë nuk ndihmon raportet e Kosovës me Uashingtonin dhe Brukselin, ndërsa e vetmja zgjidhje me të cilën fitojnë të gjithë është arritja e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës e Serbisë”, ka thënë Thaçi.
Në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale për Krimet e UÇK-së në Kosovë, Thaçi tha se “Gjykata Speciale do të merret me diçka që i përket fantazisë shkecore, siç është raport i Dick Martyt.
Por, qytetarët e Kosovës kanë të drejtën që pas dhjetë vjetësh hetime të dinë nëse njëmend ka pasur ose jo tregti me organet, që ishte shkas për themelimin e gjykatës”.
I pyetur nëse do të rikandidojë për mandat tjetër të presidentit, ai është përgjigjur:
“Varet nga rrethanat. Do të përpiqem të mësoj edhe ndonjë gjë, pos politikës, por aktualisht jam i fokusuar në punën e presidentit”, transmeton Koha.net.