LajmeTë fundit

Thaçi pas takimit me Vuçiqin të ndërmjetësuar nga Macroni: Kosova e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, njofton se në një takim të ndërmjetësuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka takuar sot edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Siç njofton kumtesa presidenciale, Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, “në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian”.

Sipas “Blicit”, Macroni thirri me urgjencë për një takim Vuçiqin e Thaçin

Paris, 12 nëntor – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron papritmas i ka ftuar sot në një takim presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, raporton “Blic” i Beogradit, transmeton Koha.net.

Edhe Vuçiqi, edhe Thaçi ndodhen në Paris, ku po marrin pjesë në “Forumin e Paqes”. Sipas “Blicit”, Vuçiqi e lëshoi panelin mbi multilaterizmin në kuadër të Forumit, që të merrte pjesë në bisedën me presidentin francez.

Macron mbrëmë kishte pasur takime bilateral me Vuçiqin dhe me Thaçin.

Por ai kishte shfaqur dëshirën që sërish të takohej me Vuçiqin, e pastaj edhe me Vuçiqin e me Thaçin bashkërisht, citon “Blic” burimet diplomatike nga Parisi.