Lajme

Thaçi para intervistimit: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është paraqitur në Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar, ashtu siç kishte marrë ftesën ditë më parë.

Në një prononcim të shkurtër për media, Thaçi tha se beson të drejtësia dhe e vërteta dhe ky ishte çmimi i lirisë që duhet ta paguajë.

“Sot jam këtu në respekt të ëndrrës time dhe për atë që kam luftuar, një Kosovë të lirë dhe të pavarur, bazuar në të drejta të barabarta dhe në sundimin e ligjit. Jam gati të përballem me sfidat e reja dhe të fitoj, për djalin tim, për familjen time dhe për vendin tim. Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, në të vërtetën dhe në drejtësi. Unë besoj në dialog dhe në marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Kosova është një histori suksesi dhe unë jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, NATO dhe marrëdhëniet e mira me SHBA,” deklaroi Thaçi.

Ndërkohë, një grup mbështetësish të UÇK-së dhe presidentit Hashim Thaçi janë mbledhur jashtë Gjykatës Speciale në Hagë dhe kanë brohoritur emrin e kreut të shtetit, “UÇK” si dhe me pankarta në duar kanë kërkuar drejtësi për krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit.