Thaçi ia thotë në sy Vuçiqit: E tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovë ka ndodhur nga shteti i Serbisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në debatin në Munih bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se e tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovës më 98-99, ka ndodhur nga shteti serb.
“E tërë bota e di se spastrimi etnik në Kosovë ka ndodhur nga shteti i Serbisë. Por është edhe një realitet i ri, ku në Kosovë kemi praninë ndërkombëtare. Për Asociacionin e komunave serbe… jemi pajtuar për të themeluar atë, por jemi pajtuar që ajo të themelohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës. Keqkuptimi këtu është se Vuçiqi nuk e kupton se unë jam president i Kosovës së pavarur, të njohur nga mbi 100 shtete. Ende shpresoj se, edhe pse do të jetë pothuajse e pamundshme për të arritur një marrëveshje, vazhdoj të besoj. Pse besoj? Sepse ka gatishmëri për t’u ulur e diskutuar. Me Vuçiqin jemi ulur dhe kemi diskutuar. Ka të atillë që propozojnë ndërtimin e një muri mes shqiptarëve dhe serbëve. E di se duhet të ketë një kompromis të arritur mes autoriteteve të Kosovës dhe të Beogradit. Pse duhet të arrijmë marrëveshje? Sepse Bashkimi Evropian po ndërmjetëson, dhe i ftoj të gjithë që të mbështesin një zgjidhje. Edhe SHBA-ja mbështet një zgjidhje, siç u pa në letrat e presidentit Trump. Ajo që është e re është se, shpresoj, që edhe Rusia do të mbështesë zgjidhjen mes Kosovës dhe Serbisë. Jam shumë i bindur se ndërkombëtarët do të na ndihmojnë në arritjen e një marrëveshjeje”, deklaroi Thaçi.